Aksidenti, një puthje në kilometrin e 17-të

fotoja

 

fotoja
Ne foto: Gjimnazistja Sindo Bego duke marre certifikaten e çmimit fitues të konkursit #JamLIber – #IsmailKadare

Përshtypja rreth romanit “Aksidenti” me autor Ismail Kadarenë, e cila u shpall fituese e çmimit të parë në konkursin e organizuar #JamLiber – #IsmailKadare, me rastin e 82-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, nga Bukinist, shtëpia botuese Onufri dhe gjimnazi Ismail Qemali në Tiranë

Sindi BEGO

Ajo quhet Rovena H dhe nuk ka frikë nga dashuria. Në historinë e letërsisë shqipe asnjë personazh nuk mund të befasojë kaq shumë, sa guximi i saj. Ajo e lë veten ta përshkrojë deri në fund ndjesinë e dashurisë, dhe pse fundi i një dashurie është gjithnjë tragjizmi.

Dhe, libri nis pikërisht me një situatë të tillë:

Një taksi ishte rrëzuar në kilometrin 17, në rrugën automobilistike që të çonte në aeroport. Dy udhëtarët qenë vrarë në vend, kurse shoferi i plagosur rëndë, ishte çuar në spital, në koma. Në procesverbalin e policisë, ishin shënuar të dhënat e zakonshme në kësi rastesh: Emrat e të vrarëve, një burrë dhe një grua e re, të dy me nënshtetësi shqiptare, numri mineralogjik i taksisë bashkë me emrin e shoferit austriak, si dhe rrethanat, ose më saktë, mosdija e plotë e rrethanave, në të cilat kishte ndodhur aksidenti. Taksia nuk kishte asnjë gjurmë frenimi a goditjeje nga kurrfarë drejtimi. Në ecje e sipër i ishte afruar anës së rrugës, thua se grahësi e kishte humbur befasisht shikimin, gjersa ishte përmbysur në zgrip”. (Ismail Kadare: Vepra, vëllimi 17, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2009, f. 17).

Ky aksident fatal që i merr jetën dy të dashuruave do të dukej tërësisht i zakonshëm nëse shkrimtari nuk do të na zbulonte në faqet në vijim një tjetër jetë të tyren.

Dy personazhet nuk janë thjesht dy të dashuruar, por përfaqësojnë dy histori që hulumtojnë zhvillimet kryesore në historinë e së shkuarës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Kjo, pasi Besfort Y. sapo kishte marrë një thirrje për t’u paraqitur në gjykatën e Hagës. Besfort Y., një analist që punonte në Këshillin e Europës për çështjet e Ballkanit, dhe Rovena St., stazhiere e Institutit Arkeologjik të Vjenës.

Por, përtej konteksteve historike që ky roman përmban, në mund të jetë ky aksident një vrasje politike, për shkak të punës së Bosforit, ajo çfarë të bën ta lexosh pothuajse për një mbrëmje deri në mëngjes, është intensiteti i dashurisë që të dy personazhet mbartin.

Një histori dashurie sekrete, e gjatë, mes dy personazheve nuk mund të kishte tjetër veç një fund të tillë. Duke e quajtur një “aksident” këtë romancë pikërisht në kapërcyell të zhvillimeve interesante për Shqipërinë, ai i çon personazhet drejt fundit fatal, duke e parë si zgjidhjen më të mirë, që kjo histori të marrë fund.

Historia e tyre e dashurisë është e pazakontë, ashtu si vetë personazhet. Ata nuk kanë asnjëherë një vend fiks për tu takuar.

Nga një faqe e librit në tjetrën ata i sheh aeroporteve për të kapur avionin për në hotelin e radhës, që është gjithnjë në një shtet ku nuk janë puthur më parë. E bashkë me udhëtimin, ti përshkrohesh nga padurimi i personazheve për të parë njëri tjetrin.

E në këtë ankth që nuk ka fund, duket se autori është përballë një zgjidhjeje. Se çfarë duhet të bëjë me personazhet e tij? Një fund i lumtur as që mund të mendohej për dy të dashuruar që ndajnë jetë të ndryshme, por dhe ndarja asesi. Ndaj ky aksident feks si një vegim i bukur në mendjen e autorit, për ti çuar ata drejt një puthjeje të gjatë dhe të fundit, në kilometrin e 17.

Është e vështirë të pranohet vdekja e dy personazheve që i ke dashur që me leximin e parë dhe duket që autori e di këtë gjë, ndaj i bën ata të humbasin shpesh para syve të lexuesit, që deri në fund të librit s’është i sigurt për fatin e tyre.

Por, ajo që do të mbetet në mendje gjatë, pas këtij leximi është Rovena H, që nuk ka frikë të dojë, dhe kur taksia shtyhet me shpejtësi drejt vdekjes, ajo zgjedh të afrohet në krahët e burrit që zgjodhi të dashurojë.

aksidenti

Librin “Aksidenti” e gjeni tek linku Këtu

Të gjithë veprën e Ismail Kadaresë e gjeni tek linku Këtu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *