6 librat e Virginia Woolf që secili duhet t’i lexojë

West Coast band Princeton's Virginia Woolf t-shirt produced in conjunction with their 2008 debut album "Bloomsbury"
West Coast band Princeton's Virginia Woolf t-shirt produced in conjunction with their 2008 debut album "Bloomsbury"
Ne foto: Bluza ku eshte printuar imazhi i shkrimtares Virginia Woolf

Virginia Woolf është padyshim një nga shkrimtaret më të mira të të gjitha kohërave. Librat dhe esetë e saj karakterizohen nga një stil i ndjeshëm, botë e brendshme dhe një shmangie nga përshkrimet lineare. Një talent i jashtëzakonshëm në fushën e saj, librat e Woolf duhet të lexohen nga të gjithë ata që duan të njohin më mirë letërsinë e shekullit të 20-të.

Më poshtë janë 6 librat e saj më të rëndësishëm:

Znj. Dalloway

woolf-4

Znj. Dalloway është libri që mund ta lexojnë të gjithë ato që takohen për herë të parë me Virginia Woolf. Klarisa Dalloway është një grua angleze e shoqërisë së lartë dhe Woolf tregon historinë e saj në Londrën e pasluftës së Parë Botërore. Woolf eksploron shoqërinë e asaj kohe dhe krijon një fotografi të jetës së protagonistes nëpërmjet mendimeve të saj, ndërkohë që Klarisa përgatitet për festën që do të organizojë atë pasdite. Ky libër është një shembull i përshkrimit të ndjenjave të brendshme të protagonistes nëpërmjet të cilave lexuesi depërton në mendjen dhe botën e saj, duke krijuar një marrëdhëdhënie të afërt me të. Ky libër është realizuar edhe film në vitin 1997.

Orlando

Cilësuar nga Jorge Luis Borges si një nga librat më të arrirë të Virgina Woolf dhe një nga më të mirët e kohëve moderne, Orlando është një libër magjepsës. Ai fillon me një protagonist mashkull, një poet aristokrat që frekuenton sallonet e familjes mbretërore. Romani eksploron çështjet gjinore dhe të identitetit, nëpërmjet karaktereve që udhëtojnë në kohë e takojnë personalitete të rëndësishëm të letërsisë në vite. Unik dhe i paparashikueshëm, Orlando është një roman që duhet të lexohet patjetër nga çdo dashurues i letërsisë.

Drejt farit

Historia e tre anëtarëve të familjes Ramsi, treguar nga këndvështrimet e tyre të ndryshme, “Drejt farit”, është një histori prekëse e betejave me të cilat kjo familje përballet gjatë jetesës së tyre në një shtëpi në brigjet e Skocisë. Interpretimi i ndjenjave njerëzore nga Woolf do të ndikojë lexuesin. Ajo eksploron frikërat e njeriut ndaj ndryshimeve dhe aftësia e realizimit të përshkrimeve aq të gjalla është një nga armët e saj më të forta dhe një arsye përse njerëzit e kanë të pamundur për ta hequr këtë libër nga dora.

 Një dhomë më vete

woolf-1-nje-dhome-me-vete

Në këtë ese, Woolf hulumton mbi çështjet gjinore dhe shprehet se pa para dhe një dhomë më vete një grua nuk mund ta lërë krijimtarinë dhe imagjinatën e saj të lirë. Për ta ilustruar këtë ajo krijon një karakter imagjinar: motrën e Shekspirit. Ajo i jep asaj një talent po aq të madh sa Shekspiri, por historia e saj nuk është një histori suksesi, përkundrazi ajo kryen vetëvrasje, e lodhur nga pamundësia për të shprehur gjenialitetin e saj në një shoqëri të dominuar nga meshkuj. Një dhomë më vete është një lexim për të gjithë.

Natë e ditë

woolf-3-

Natë e ditë është një histori delikate dashurie, një komedi shoqërore, që minon traditat duke ngritur pyetje mbi rolin e gruas dhe natyrën e vërtetë të jetës njerëzore. Një përzierje intriguese e shekullit të XIX-të dhe XX-të, e klasikes dhe e modernes, e ndikimit të së kaluarës dhe e risive të së ardhmes. Me gjithë ndryshimin e madh që kjo vepër ka nga veprat e mëvonshme të saj, ky roman është ende pashmangshmërisht Woolf. Vetëm ajo mund ta përshkruajë atmosferën e mrekullueshme të shëtitjeve muzgore në Londër, vetëm ajo mund të përshkruajë me kaq pasion dhe vetëdije rëndësinë e punës për një grua, vetëm ajo mund të sjellë në jetë veçantitë e një familjeje që shenjtëron të kaluarën dhe vetëm ajo mund të krijojë prozë me copëza të një bukurie kaq të plotë, sa lexuesi mundet veç të ndalojë e t’i rilexojë ato sërish e sërish, duke i pirë fjalët me një etje që nuk mund të shuhet.

Dallgët

Ky libër përmban gjashtë monologe, nga gjashtë karakteret kryesore të librit, ku secilin prej tyre Woolf e gërmon në identitetin, individualitetin dhe shoqërinë e tij. Ekziston dhe një personazh i shtatë, Percival, që është gjithashtu i rëndësishëm por që nuk flet drejtëpërsëdrejti me lexuesin. Dallgët është cilësuar shpesh si kryevepra e Woolf-it për shkak të stilit unik të të shkruarit, për shembjen e barrierave gjinore dhe për gërshetimin e poezisë me prozën.

Midis veprave

Midis veprave është libri i fundit i Virgina Woolf i cili u publikua pas vdekjes së saj. Ngjarjet zhvillohen në një vend të panjohur në Angli ndërkohë që Lufta e Dytë Botërore i afrohet vendit. Në fshat zhvillohet festa e përvitshme e verës dhe secili nga banorët e fshatit kujton momente të rëndësishme të historisë së Anglisë. Është një histori brenda historisë ku Woolf me zgjuarsi e vë theksin në çështje të caktuara, pjesa më e madhe e lidhur me luftën: ngritja e fashizmit ishte e rëndësishme për të, jo vetëm pse burri i saj ishte hebre, por sepse dhe ajo vetë ishte në listën e ekzekutimeve në Angli të Hitlerit.

Për më shumë, shih linkun këtu   

Përgatiti materialin Dorina Allamani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *