Vetëm Dashuria mund të fitojë kohë

neverlet-me-go-featured

neverlet-me-go-featured

Lexim i romanit “Mos më lër të shkoj” i Kazuo Ishiguros, nobelist i saposhpallur, të cilin e ka botuar Pegi, nën përkthimin e Rudi Erebarës

agim-baciAgim Baçi

Nuk kërkon asgjë të bujshme në jetën e njeriut, por vetëm përditshmërinë. Nuk ka asgjë për t’u veçuar apo për t’u habitur.- Ky është shtegu ku Kazuo Ishiguro nis udhëtimin e personazheve të tij, ku përballen humbja, vetmia dhe dashuria. Një parashikim i lexuesit dhe endjes së sotme të njeriut për të gjetur një minibotë ku të kuptojë disa pyetje për veten pa pretenduar se jetojnë vetëm të njohurit dhe shumë të njohurit. Gjithskush ka jetë. Por, pikërisht këtu Ishiguro kërkon të ngrejë pyetjen: Kur disa ura shkëputen në udhën tonë, në ëndrrat tona,  çfarë nis të funksionojë tek ne?

Për personazhet e Ishiguros në romanin “Mos më lër të shkoj” nisin të funksionojnë dritat e brendshme, që nxjerrin nga honi i së shkuarës gjithçka për ta riparë, për t’i marrë një kuptim, për t’i dhënë një emër vetes sonë. Kazuo Ishiguro sjell njeriun veshur me stofin e humbjes, dhe kërkon t’i japë një udhëtim – udhëtimin për të kuptuar se ç’ka bërë deri ditën kur e kupton se e ardhmja nuk dëshiron t’i japë një dorë për të besuar se ka edhe shumë për të bërë. Nuk është një roman për trishtimin, por është një trishtim i pikturuar me fjalë.

Personazhet e romanit “Mos më lër të shkoj” nuk kanë të shkuar familjare dhe nuk presin të ndërtojnë një të tillë. Ata janë rritur në konvikt dhe janë përgatitur të jenë dhurues. Janë portreti i sakrifikimit, i njeriut në shërbim të atyre që kanë fatin të kenë gjithçka për të jetuar më mirë, pa përjashtuar as trupin dhe kohën e tjetrit. Por, në këtë errësirë, e vetmja që mund të ndezë dritën, të ndryshojë planet, të shtyjë vdekjen, të shtyjë të pamundurën, është vetëm Dashuria. Duhet të bindin eprorët që i survejojnë se janë të dashuruar që të dy- një djalë dhe një vajzë- dhe pastaj mundet të fitojnë kohë. Sepse vetëm dashuria mund të fitojë kohë. Sepse Dashuria e krijon kohën e vet brenda njeriut për t’i bërë thirrje se ka ende arsye të besojë, të kërkojë, të udhëtojë e të mos harrojë se çfarë është i zoti të bëjë.

Keti H., Tomi D. Dhe Ruthi krijojë një trekëndësh miqësie dhe dashurie. Mungesa e mbiemrave është mungesa e identitetit, e famës, e njohjes së bujshme. Janë veç emra që udhëtojnë në fatin e tyre, janë  emra në morinë e emrave që jepen rreth tyre, duke përfshirë edhe edukatorët e tyre, që janë po aq anonimë dhe fatkeqë. Në kët botë kaq të errët ka fuqinë e vet ndjenja dhe sekreti, që të përziera më pas me kujtime, mund të prodhojnë, të paktën, një njeri si në akuarel, ku më shumë vend zë imagjinata se sa pamja.

“Nganjëherë futem kaq ngushtë në shoqëri me veten, sa kur has ndonjë të njohur, më duhet kohë të shkundem e t’i flas. Kështu isha atë ditë në mëngjes e po kaloja vendparkimin e stacionit të shërbimit, që fshikullohej nga era dhe pashë Laurën të ulur  pas timonit në një nga makinat e parkuara, duke parë nga rruga e zbrazur. Ishte ende pak larg dhe vetëm për pak sekonda, megjithëse u kujtova që nuk ishim parë që nga koha kur ishim te Kasollat, vite të shkuara, u përpoqa të bëja sikur s’e njoha dhe vazhdova të eci. Një reagim i çuditshëm, po të kesh parasysh që ajo kishte qenë një nga miket e mia më të mira. Siç po them, mund të ketë qenë edhe ngaqë nuk më pëlqen të zgjohem nga ëndrrat e mia me sy hapur. Por gjithashtu, kur e pashë të strukur ashtu në makinë, e kuptova në çast, se ajo ishte bërë një nga ato infermieret që përshkrova më lart dhe një pjesë e imja nuk dëshironte të dinte më shumë se aq” (Kazuo Ishiguro , “Mos më lër të shkoj” , Pegi 2006, Përkth: Rudi Erebara, f.269)

Lexuesi , pas këtij rrëfimi të Ishiguros, mund të kujtohet fare lehtësisht për persona që i ka patur rreth e rrotull por që kurrë nuk i ka vlerësuar si individë. Ose që edhe që ata nuk e kanë vlerësuar atë.  Rrëfimi është aq i vëmendshëm dhe aq i detajuar sa nuk mund t’i shpëtosh hapjes së derës së kujtimeve dhe të kuptosh se thuajse asgjë nuk është zhdukur, por është aty, në pritje të një gërvishtjeje të lehtë të së shkuarës. Pastaj mund të kuptojmë shumë hapa që kemi bërë në emër të asaj që kemi kërkuar të ndjekim, se sa ndikim kishin humbjet dhe fitoret, se kush do vijojë të ketë ende një vend në qoshkun e kujtimeve që nuk do mundemi ta lëmë mënjanë kurrë.

Eshtë një roman që ndoshta nuk e jep gjithë portretin e Ishiguros, por që të fton padyshim të ndjekësh atë portret të njeriut mes humbjes dhe vetmisë që ka nevojë të gjejë një dritë për veten. Interesi i njohjes në këtë roman shkojnë bashkë me stilin që të bën të shijosh rrëfimin.

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO të datës 14 tetor 2017

Librin mund ta porositni direkt online, tek linku KETU, ose përmes një telefonate tek: 044508282

mos-me-ler-te-shkoj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *