Mbylle gojën, kufomë!

kadare-okis

kadare-okis

Lexim rreth romanit “E penguara, rekuiem për Linda B.” i autorit Ismail Kadare, ku rrëfehen ngjarje për vitet e fundit të sundimit të Enver Hoxhës.

Thomas STEINFELD

Jo për dashurinë bëhet fjalë në tregimin, në të cilin Orfeu zbret në skëterrë, për ta rikthyer në jetë Euridiken. Ai, për më tepër, bën fjalë për vdekjen. Dashuria mes fejuarëve bën të lind një rast, falë të cilit mund të hulumtohet se sa e shkurtër është jeta dhe sa e parevokueshme, në fakt, është vdekja.

Ky mendim, me sa duket, ka qenë vështirë i durueshëm për grekët, aq torturues, saqë ata çdo hero të madh të tyre e dërgojnë në mbretërinë e hijeve: Tezeun, Heraklesin dhe Odisenë. Njerëz të gjallë janë këta tre heronj. Ata i bëjnë thjesht një vizitë hadit.

Ndërkaq, Euridika është e vdekur. Ajo duhet të nxirret nga bota e nëndheshme. Dhe, kur Orfeu dështon në përmbushjen e kësaj detyre, për shkak të fajit të tij, ai mbetet i vetmuar në tokë, ulet mbi gur dhe këndon këngë pikëllimtare, kështu që ai shpejt i ngjan një të vdekuri mes të gjallëve.

Që romani “E penguara“, në origjinal i botuar në vitin 2009, i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare duhet të jetë një variacion i historisë së Orfeut dhe Euridikes në vitet e vona të diktatorit Enver Hoxha, këtë gjë e vë re ndoshta edhe një lexues i vëmendshëm tek kah fundi i kësaj vepre.

Që ky roman rrëfen për shtegtimin në një lloj skëterre, përkundrazi është e qartë që nga fillimi. Heroi, një dramaturg i suksesshmëm me emrin Rudian Stefa, thirret për bisedë në godinën e Komitetit të Partisë. Arsyen ai nuk e di, por ai ka frikë nga më e keqja.

Ndoshta i ka shkelur rregullat e realizmit socialist për shkrimin e pjesës teatrore, nga se ai në aktin e dytë të veprës së tij të fundit lë të shfaqet një fantazmë.

Ndoshta, është denoncuar nga e dashura e tij, pasi që, në grindje e sipër e kishte shtyrë atë me kokë kundër raftit të librave. Aq i shqetësuar është, saqë ai flet e flet, ndërkohë që shokët që e marrin në pyetje pak a shumë heshtin.

Rudian Stefa është një njeri jo i këndshëm, ndoshta edhe një njeri i keq, por një shkrimtar impresiv. Tërësisht i përqëndruar në vetvete, duket sikur pjesën me të madhe të ditëve e kalon, duke u përfytyruar se çka mendojnë për të njerëzit e tjerë (dhe para së gjithash hetuesit e shtetit komunist), si do te reagojnë ata, çka duhet të bëjë nëse ky apo ai dyshim vërtetohet- dhe, në fund, ai vie në këtë përfundim: “Ne jetojmë në botë të ndryshme”.

Shumë gjëra në këtë libër nuk duken reale për të gjithë pjesëmarrësit dhe as të liruara nga obsesioni i interpretimit: kafeja vietnameze në hotel Dajti, me të gjithë spiunët dhe çimkat, tabela e afisheve para teatrit, në të cilin nuk varen më pllakate për pjesën e Rudian Stefës, librat e rrëzuara nga rafti, kundër të cilit ai e kishte shtyrë kokën e të dashurës. Ajo quhet Migena (një anagram për “enigma”). Ajo hyn dhe delë në shtëpinë e tij, e shtyrë nga interesa të paqartë dhe të ndërlikuarë, dhe e vë në lëvizje historinë në atë mënyrë që merrë prej tij një libër me nënshkrim për një shoqen e saj me emrin “Linda B.”.

Një shtegtar në mbretërinë e të vdekurve është ky Rudian Stefa dhe kështu, si parakalon si një hije nëpër libër, konturat e të cilit mbahen nga një materializëm i vogël i dalë boje, para së gjithash përmes logjikës së dyshimit, kështu duket se i shkojnë punët edhe vendit dhe udhëheqësit Enver Hoxha.

Nuk ka kujtesë pa interes dhe as moral pa siguri të rreme

Ky paraqitet në fund të këtij romani të vogël, si një burrë i sëmurë, i cili i hedh sytë e tij të përlotur mbi nusen e re të njërit prej funksionarëve të tij. Skëterra, kështu duket, e ka gëlltitur gjithë realitetin në vetvete. Ajo vazhdon të ekzistojë edhe kur udhëheqësi prej kohësh ka vdekur dhe kur shtatorja e tij zvarritet në sheshin Skenderbeu në Tiranë:

“Koka e shtatores ishte pikërisht poshtë dritares. Te kafka kishte një të çarë, pas së cilës nxinte zbrazëtia.

Ik trajtë e poshtëruar, tha me vete.

Ulërima e turmës ngjitej valë-valë që poshtë.

Syri i djathtë mbi bronz, i nxirë, i stërmadh e i panatyrshëm ngjante si me lot.”

Një Orfe është ky dramaturg, një had gjithë vendi dhe sidomos miniera e bakrit, ku do të zhvillohet ngjarja e pjesës më të re të Rudian Stefës, e cila përsëri përbën vetëm një metaforë të fatkeqësisë për shterrimin ( apo moskezistencën) e forcës krijuese të shkrimtarit.

Por, nëse Orfeu i mitologjisë greke vetëm një herë të vetme e kthen kryet për të parë fejuarën tij që e ndjek pas dhe kështu përfundimisht e fundos në skëterrë, këtu Orfeu është një figurë që papushim shikon rreth e rrotull, në të gjitha anët dhe kështu ai gjithçka e kthen në hije.

Fundi i shtetit komunist nuk i ndriçon këto rrethana. Përkundrazi. Ç’është e vërteta duket se është e qartë kush ishte Linda B.: pra e internuara që i jep titullin e librit të përkthyer në gjermanisht, njëri nga mijëra njerëzit e padashur, të cilët regjimi i deporton në vende të largëta, shpesh me familjet e tyre.

Por edhe e internuara është vetëm një hije, një hije e kthyer në kujtesë të gjallë përmes kurreshtjes së shkrimtarit, për besueshmërisë e së cilës nuk ka asnjë garanci, edhe nëse ajo insiston në mënyrë demonstrative për vërtetësinë e saj.

Ky roman është një libër i vogël, i hidhur. Por si mendim peshon rëndë dhe ç’është e vërteta edhe sepse na mbanë larg nga idealizmat e ballafaqimit me të kaluarën. Nuk ka kujtim pa interes, na mëson kjo vepër. Dhe nuk ka moral pa siguri të rreme. “Mbylle gojën, kufomë!“ i thirret fantazmës, të cilën Rudian Stefa e lë të paraqitet në dramën e tij mizerable kundër rregullave të teatrit socialist. Fjalia mund të qëndronte si moto për këtë libër. Sepse natyrisht këtu kufomat flasin, në kundërshtim me mitin antik të fantazmave memece. Ato madje vazhdojnë të flasin brenda njeriut.

Andaj si të mos doje t’i dëgjosh ato, fantazmat që flasin, për arsyen elementare se do të doje të mësoje se si jetohet me vdekjen?

Shkrim i botuar në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, nr. 196, 26/27.08.2917, Letërsi europiane, fq.20. Përktheu nga gjermanishtja Xhevat Ukshini

Librin “E penguara” e gjeni te linku këtu

Porosite edhe me një telefonatë tek 044508282

e-penguara-requiem-per-linda-b

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *