Të përgjigjesh me Kafkën

Musa-Ramadani

Shënime për romanin “Profeti nga Praga” të Musa Ramadanit, fitues i çmimit “Kadare” 2017

Musa-Ramadani

agim-baciAgim Baçi

Të rikthehesh nga bota tjetër e të takosh njerëzit me të cilët ke ndarë botën tënde, e të shohësh se nëse të kanë harruar apo vazhdojnë të të kenë në mendje…. Kjo është një ëndërr që do të joshte këdo… Musa Ramadani, fituesi i çmimit “Kadare” për vitin 2017, akorduar nga “Instituti “Pashko” i UET, ka mundur të risjellë një fantazi që bart një kërshëri për njohje të njeriut.

Një trill me një peshë të brendshme alegorike që bart një emër që vijon të trondisë lexuesin me parashikimet për njeriun dhe jetën- Franz Kafka. Një trill romanor ku shkrimtari rikthehet pas 41 vitesh në këtë jetë nga bota tjetër për të riparë vetveten dhe ata me të cilët jetoi. Por si mund të jetë ritakimi me vetveten, me miqtë, me dashuritë, me personazhet? Po për veprën e tij si do t’ia bëjë vallë, kur sa qe gjallë ka kërkuar që të digjen e jo të botohen, ndërkohë që në rikthim i gjen të lexuara ngado. …  “Profeti nga Praga” i autorit nga Gjilani është një rrëfim-kurth që bart dëshirën për të njohur njeriun, për të pikturuar të përditshmen dhe atë që ëndërrojmë.

Ka autorë që kanë parasysh lexuesin kur shkruajnë. Ka nga ata që lexuesin e projektojnë vetë. Musa Ramadani tenton t’i lidhë së bashku edhe lexuesit e projektuar edhe ata që janë gjithnjë aty, si vazhdues të letërsisë, duke i ftuar që të bashkudhëtojë në një shumësi kuptimesh. Madje, Ramadani, rreshtohet herë në anën e rrëfimtarit e herë në trenin e lexuesve, duke na sjellë një rrëfim ku autori është gjithnjë aty, duke biseduar me secilin nga ne dhe duke na kërkuar ta shoqërojmë. Sepse fjalët e shkrimtarit janë shpesh më afër se ata me të cilët shkëmbejmë përditshmërinë, por jo kuptueshmërinë apo ëndërrimet.

Dhe askush më mirë se sa emri i Franz Kafkës nuk arrin të na sjellë pikëpyetje aq të mëdha për njeriun. Musa Ramadani na fton në një lexim jo thjesht për letërsinë e Kafkës që vjen e zgjerohet çdo ditë nga leximet, por edhe për jetën e tij plot dilema për botën, dështime dashurie, rrëzime apo dhe një shëndet të dobët që e përndjek.

“Shikohen si të shiheshin për herë të parë. Të ngazëllyer cakërrojnë gotat e mëdha të birrës. Përqafohen epshurisht me gishta të përthurur e duar të puthitura. Kafka tregohet më i kursuer e më i frnuar, ndërsa Jasenka më pasionante dhe më ekstravagante. Ajo e vështron tjetrin gjithë admirim, duke ia pasur lakmi pamjes së tij rinuese. Ai, dukejne saj, sidomos detajet, i vjedh me bisht të syrit, pa e shprehur habinë për ndryshimet, megjithëse është të paktën 12-13 vjet më e re. Ajo e cyt…

-…Anci, po qe se nuk prekesh, desha të të pyes: ç’ishte ajo gjë specifike që ti gjete tek e dashura jote e parë, Felice Bauer, hë, Ok?

-Ishte një takim i rastësishëm në shtëpinë e Brodit, një pasdite, derisa ne përgatisnim një dorëshkrim timin për ta botuar. Duket se unë rashë në grackë, ashtu, në shikim të parë, siç thuhet… Diku në Ditarin tim pata shënuar se, po ndodhi të martohesha ndonjëherë, do ta zgjedhja një vajzë, me pjesën e sipërme të nofullës të qitur jashtë, buzët e së cilës nuk do mund të rrinin të puqura ose të mbyllura…” (Musa Ramadani, “Profeti nga Praga”, f. 105-106, Mapo Editions 2017)

Rrëfimi i Ramadanit, i ndërtuar në kurthin përmes rindërtimit të jetës së Kafkës, sjell njeriun që thuajse bart gjithçka që ia vlen të dimë, për të mundurën dhe të pamundurën, të arritshmen dhe të imagjinueshmen. Një rikthim që thërret lexuesin të shohë e rishohë vetveten përpara rikthimit, e të gjejë arsyet e jetës.

A jemi edhe ne Jozef K.? A ngjajmë një çast me Gregor Samsën e të shohim metamorfozën tonë të pamundësisë? A jemi ne banorë të një kështjelle duke mos kuptuar shumëçka rreth vetes? A ndodhemi ne mes mitit dhe realitetit ku shpesh nuk arrijmë të kuptojmë nëse kemi vendosur ne për veten tonë apo kemi qenë pjesë e diçkaje të vendosur? Portreti i Kafkës, i personazheve, i miqve është një udhëtim ndaj asaj që kërkojmë kudo.

Dhe fundi i romanit, ku autori kërkon të kalojë natën në dhomën e Sanatoriumit ku Kafka numëroi orët e fundit të jetës së tij, janë një ftesë për të guxuar për të parë fundin, për t’u pajtuar me vdekjen. Një shtrat nga ku mund të ndjesh hapat e njeriut që tha aq shumë me veprën e tij dhe të mos bëhesh pjesë e refuzimit të shoqërisë së sotme ndaj vdekjes. Sepse mund të ndodhë që te jesh i vdekur, por thjesht nuk e di ende…

Marrë nga gazeta MAPO, datë 17 qershor 2017

Porosite direkt online nga linku që gjendet këtu

profet-nga-praga

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *