Befasitë që sjell çelësi i leximit të letërsisë nga Agim Baçi

GIMI-352x230

GIMI-352x230

Reflektim pas leximit të librit “Letër Dylqinjës” i A. Baçit, i botuar nga Onufri

Diana Çuli

diana-culiNjë befasi. Kritike, letrare, meditative, ekzistenciale. Një befasi, do të theksoja përsëri për këtë libër të Agim Baçit, autor i shumë librave me studime, kritikë e përsiatje letrare, po edhe me poezi e prozë.

Është një befasi “çelësi i leximit” të letërsisë që ka zgjedhur Agim Baçi për të na ulur ngadalë e pa nxitim të mendojmë mbi letërsinë në një mënyrë që pothuajse kemi harruar, me këtë libër që e titullon Letër Dylqinjës, botuar nga botimet ONUFRI. Në këtë kohë leximesh të shpejta, virtuale e elektronike, telefonike ose kompjuterike, shtysa elegante që ai na jep përmes këtij libri, për të lexuar, jo “si dikur”, po për  të lexuar me të vërtetë, thellësisht dhe në mënyrë reflektive, është një mjet efikas, i menduar, por, mbi të gjitha, tejet artistik.

Baçi na e jep këtë shtysë përmes një gjetjeje letrare mjaft interesante: ai i shkuan letra shkrimtarëve të mëdhenj botërorë si Servantesit, Tolstoit, Shekspirit, Kunderës, e të tjerë dhe pyetjeve të tij ata i kthejnë përgjigje. Është një korrespondencë epistolare kaq tërheqëse, kaq e veçantë dhe kaq origjinale, që bart edhe stilet e secilit autor, sa lexuesi “harron” që po lexon një truk letrar dhe vazhdon me ëndje leximin.

Por, synimi i Agim Baçit në këtë libër nuk është të na nxisë të lexojmë sa më mirë e sa më thellë, as thjesht që të gjejmë edhe njëherë kënaqësinë estetike të të lexuarit. Nuk përpiqet vetëm të analizojë, të rishohë, të argumentojë në mënyrë kritike një autor të caktuar, as vetëm të gjykojë, për shembull, mbi subjektin e një vepre (ta zemë Romeo e Zhulietën e Shekspirit), as të interpretojë një mesazh të caktuar të një vepre apo të një autori. Ai kërkon të kuptojë çështje të mëdha të jetës, të letërsisë, të simbolikës ; të diskutojë me vete, me autorët dhe me të tjerët thelbin e këtyre veprave, por edhe thelbin e njeriut që i ka shkruar. Këtë e hasim në të gjitha korrespondencat.

Me Tolstoin, këndvështrimi – maska e Tolstoit në jetën e përditshme që askush nuk e kuptonte atë që ndodhte brenda tij, me Floberin, ku e zhvendos bisedën me personazhin e tij – kërkon të hyjë thellë në prapaskenën shpirtërore të këtij personazhi, që është madamë Bovaria; me Dylqinjën, me të cilën e hap dhe librin, (dhe që në vend të saj i përgjigjet Don Kishoti dora vetë) flet për hapësirat e panjohura të dashurisë, që shfaqen ndoshta çuditshëm e pabesueshëm, po që janë vetë dashuria; me Kunderën për dilemat e vështira të botës, për të tashmen e për të ardhmen…

Nuk është e lehtë t’i hysh një sprove të tillë, me stekën kaq të lartë. Të ruash stilin, thelbin filozofik të këtyre gjigantëve të letërsisë e të mendimit njerëzor, që kanë shenjuar kulturën e botës,  që kanë ndryshuar konceptet mbi lirinë, të drejtën, të vërtetën e brezave të tërë të shoqërisë njerëzore, që kanë përpunuar dhe zhvilluar shijet estetike të njerëzve e kanë zbutur shpirtrat e tyre.

Agim Baçi është përpjekur të mbajë këtë nivel diskuri filozofik, estetik e letrar, duke lexuar në  heshtje atë që shpesh nuk shprehet dot me zë të  lartë, por që mendohet, shkruhet e përtypet përmbi fletët e bardha, përmbi shkronjat e zeza dhe në qetësinë punëtore të mendjes.  Duke iu rikthyer Kunderës, për të ilustruar këtë koment të mësipërm, do të citoja një paragraf nga korrespondenca me të: Mundohu të meditosh pak – “i shkruan” Kundera – mbi atë që të bën ty të ndiesh emocion dhe pasion në jetën tënde. Ti mendon se kur tringëllojmë “shpirt”, “trallisje”, “dobësi”, “parajsë”, “ferr”, “inat” apo dhe shumë si këto, kemi thënë thjesht disa fjalë? Të duket sikur autori, përmes zërit të këtyre  shkrimtarëve na rikthen të lexojmë edhe njëherë Cvajgun, Dymanë, Dikensin, Dostojevskin…

Agim Baçi, në të vërtetë, në këtë libër, shkruan për letërsinë. Thellësisht, i menduar, kritik, por, mbi të gjitha, duke shijuar mrekullinë estetike që të jep letërsia. Siç shkruante Roland Barthe: Me punimet tona intelektuale ne krijojmë njëkohësisht teori, debat kritik, po edhe kënaqësi.

(Avec les choses intellectuelles, nous faisons à la fois de la théorie, du combat critique et du plaisir) Dhe, duke e perifrazuar, do të thoshja se tek Letër Dylqinjës të Agim Baçit ndeshim një stil të këndshëm, që na mbush me kënaqësi intelektuale e që na shtyn të mendojmë gjëra të thella, shpesh edhe të vështira.

Shkrimi është botuar nga gazetën MAPO.

Porosite librin KETU.

baci-3

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *