“Përralla e zezë” e Agota Kristofit, drama që tronditi ndërgjegjen

alket-cani-odeon-trilogjia-binjakeve-agota-kristof

 

alket-cani-odeon-trilogjia-binjakeve-agota-kristof

Intervistë me Alket Çanin, botuesin e Odeon dhe përkthyesin e “Trilogjia e binjakëve” e Agost Kristof

“Trilogjia e Binjakëve” e Agota Kristof, është një roman i guximshëm me një stil të pangatërrueshëm, ku lexuesit bëhen në mënyrë të pashmangshme protagonistë të një rrëfimi mizor e të paskrupuj, falë interpretimit të tyre. Një roman që nuk limitohet me denoncim social apo politik: fjalët e pakta, të thata, të akullta, si dhe pamjet e dhimbshme bëhen mish e gjak, tmerr i vërtetë, dëshpërim pa rrugëdalje. Një përrallë e zezë dhe tronditëse, si dhe një provë psikoanalitike si dhe filozofike. Romani “Trilogjia e Binjakëve” është i ndarë në tre pjesë dhe rrëfen historinë e dy binjakëve, që për t’u shpëtuar bombardimeve të një lufte dhe të një vendi të paemëruar, e ëma i shpie jashtë qytetit, në shtëpinë e gjyshes. Bëhet fjalë për dy fëmijë specialë, gati gjenial, përsa i përket mënyrës se si ata përballen me dinamikat e tmerrshme të përditshmërisë, si dhe për mënyrën se si ata e përshkruajnë ambientin që i rrethon me ftohtësi dhe ashpërsi, por, në të njëjtën kohë me magjinë e këndvështrimit të tyre fëminor. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, përkthyesi i romanit Alket Çani, i cili ka sjellë në mënyrë të përsosur atmosferën e origjinalit, rrëfen se motivi kryesor, që e shtyu ta sillte librin në shqip është se “se nuk i rezistoi dot tundimit për ta përkthyer”.

Agota Kristof ka lindur më 1935 në Hungari, nga ku arratiset në vitin 1956. Vendoset në Neuchatel të Zvicrës dhe shkruan fillimisht poezi dhe pjesë teatrore, para se të nisë trilogjinë e saj romaneske në gjuhën frënge, gjuha e saj e mërgimit. Ndahet nga jeta në vitin 2011. Vepra e saj është përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë.

triologjia-e-binjakeve

Zoti Çani, përse zgjodhët që të përktheni në shqip “Trilogjia e binjakëve” të Agota Kristofit?

Më pëlqeu shumë, edhe historia edhe stili, dhe sapo e mbarova së lexuari mendova ta përkthej. Kur je marrë gjatë me përkthime, çdo libër të huaj që lexon e sheh në perspektivën e përkthimit në gjuhën tënde.

Madje, edhe kur lexon një autor të huaj të përkthyer tashmë në gjuhën tënde, gjatë leximit mendon se si do ta kishe përkthyer ti këtë fjalë, atë fjali, këtë apo atë varg.

Është shumë e vështirë të rrish asnjanës e indiferent, gjë që e bën shpeshherë leximin të mundimshëm. Nga ana tjetër dhe për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, miq e të afërm herë pas here më kanë qortuar që përkthej vetëm autorë të rrallë e të vështirë, të papërtypshëm prej gjithkujt; kështu, mendova të përkthej edhe unë një autor që mund të lexohet nga “të gjithë”. Sidoqoftë, arsyeja kryesore është se nuk i rezistova dot tundimit për ta përkthyer.

Në romanin e parë, “Fletorja e madhe”, dy binjakët sillen fillimisht si spektatorë cinikë të gjithçkaje që ndodh përreth, të mjerimit dhe tmerreve, nga të cilat ata arrijnë gati të mos preken.

Por rruga e tyre për mbijetesë shkon paralelisht me tjetërsimin e tyre, me “kafshërimin” e tyre. Në realitetin e sotëm, veçanërisht në vendin tonë, rrethanat dhe situatat e ngjashme me ato të “Fletores së madhe” janë të shumta. A është kjo mënyra e vetme që “viktimat” e rrethanave të tilla të mbijetojnë?

Është e vërtetë që ata dy fëmijë fillojnë e bëhen gjithnjë e më të pandjeshëm, të pamëshirshëm, mizorë, pra, në njëfarë mënyre, dehumanizohen, çka mund të merret si një metaforë e botës postindustriale.

Nuk di të them nëse është mënyra e vetme për të mbijetuar, sepse me siguri që ka edhe mënyra të tjera, por le të mos harrojmë se, ndonëse autorja i ka kërkuar motivet në fëmijërinë e vet dhe mjedisi ku zhvillohen ngjarjet është një vend dhe një kohë lufte, kemi të bëjmë sidoqoftë me një vepër fiksionale. Ngjashmëritë me realitetin e sotëm janë të pashmangshme. Tek e fundit, çdo letërsi e madhe është kurdoherë aktuale.

Këto romane e vendosin realitetin, madje edhe historinë, përballë pasqyrës në mënyrë të guximshme. Janë romane ku çdo lexues, çdo kohë, çdo vend mund të identifikohet shumë mirë me to. Vetë “Qyteti K”, ku K. është një e panjohur, mund të jetë kudo, ose askund. Sipas jush, a na paralajmëron ky roman, në një farë mënyre, se kjo histori mund të ndodhë apo të ketë ndodhur diku apo gjithkund?

Natyrisht, mund të interpretohet edhe kështu. Nuk ka asgjë të habitshme; kjo botë është e mbushur me histori nga më të larmishmet. Por gjithë rëndësia qëndron në faktin se në ç’mënyrë tregohen këto histori.

Për autoren e këtyre romaneve, letërsi do të thotë rishpikje e reales, rrëfim i gjërave jo siç kanë ndodhur, por siç do duhej të ndodhnin. Është pikërisht mënyra e të treguarit ajo që një histori mund ta bëjë ose të mos e bëjë letërsi. Nga kjo pikëpamje, Agota Kristof, ndonëse vetë është shprehur se e urrente stilin e saj, e ka gjetur çelësin për ta shndërruar faktin historik në fakt estetik.

Kufiri midis realitetit dhe fantazisë në “Trilogjinë e Binjakëve” është shumë i brishtë. Një rrëfim i shtrirë në linjën e asaj që duket dhe asaj që është realisht. Mund të jetë kjo ndoshta një mënyrë që Kristof ka përdorur për të larguar nga vetja tmerret dhe vuajtjet që ajo vetë kishte përjetuar? Një rrëfim biografik ndër të tjera?

Sigurisht që, ashtu si edhe artet e tjera, letërsia është një formë eksorcizmi. Thuhet, gjithashtu, se çdo shkrim është, ku më shumë e ku më pak, një lloj autobiografie. Autorja ka patur një fëmijëri pothuajse të lumtur. Vuajtjet kanë filluar më vonë, gjatë viteve të qëndrimit në konvikt dhe sidomos në fillimet e ekzilit zviceran.

Por nuk mund të themi se ka kaluar tmerre. Në librin e saj autobiografik të titulluar “Analfabetja”, që do të vijë së shpejti në shqip, Agota Kristof flet rreth këtij aspekti.

Gjithsesi, dua të theksoj përsëri se këto tri romane janë një vepër e mirëfilltë fiksionale. Veç kësaj, humori i zi është fund e krye i pranishëm në tekst. Të kesh një vizion jo shumë optimist për botën dhe njerëzimin, ashtu siç e kishin, le të themi, Cioran-i apo Beckett-i, nuk do të thotë medoemos se ke patur një jetë veçanërisht të vështirë.

Shkrimtarja ka zgjedhur një gjuhë pa zbukurime, të vërtetë madje thuajse të dhunshme. Një gjuhë që nuk lë vend për interpretime, pikërisht të folurën e thatë dhe të pastër të fëmijëve. Duke pasur parasysh realitetin e ashpër dhe qasjen e fëmijëve ndaj tij, çfarë ndikimi ka përdorimi i një gjuhe të tillë te lexuesi?

Mendoj se ka një ndikim befasues dhe tronditës njëherazi. Të paktën kështu e pati tek unë. Ndoshta është vendi të thuhet, me këtë rast, se, përveç zgjedhjes së qëllimshme të një ligjërimi të thatë e të zhveshur, autorja ishte, në njëfarë mënyre, e detyruar të shkruante me një gjuhë të tillë, duke qenë se frëngjishtja nuk ishte gjuha e saj amtare.

Ky është një roman mbi Realitetin dhe Gënjeshtrën. Sipas jush, nëse e sjellim paralelisht rrëfimin me konfuzionin e brezit të ri nga Realja dhe Virtualja, a reflektohet, edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, skizofrenia e botës bashkëkohore?

Kam përshtypjen se çdo brezi njerëzor bota ku jeton i duket e kapur nga skizofrenia. Nga ana tjetër, kjo s’do të thotë që koncepti juaj është i gabuar.

Si do ta komentonit ju këtë paragraf të shkëputur nga pjesa e dytë e romanit “Prova”: “Jam i bindur, Luka, që çdo qenie njerëzore ka lindur për të shkruar një libër dhe për asgjë tjetër. Një libër gjenial apo një libër mediokër, pak rëndësi ka, por ai që s’do shkruajë asgjë është një qenie e humbur, s’ka bërë tjetër veçse ka kaluar mbi tokë pa asnjë gjurmë”.

Ndoshta kështu e mendonte autorja. Ndoshta është vetëm mendimi i personazhit që flet në libër. Sido që të jetë, ky paragraf tregon pasionin e jashtëzakonshëm të Agota Kristofit për letërsinë, pasion që i kish filluar qysh në fëmijërinë e hershme.

Ky është një nga romanet më të guximshëm që nga koha e Kafkës. Nëse flasim për fushën e letërsisë, ku dhe si do ta vendosnit ju këtë shkrimtare?

Nuk jam shumë i prirur për të bërë klasifikime, përkundrazi. Megjithatë, Kristofin e shikoj të qëndrojë denjësisht në shekullin e saj midis autorësh të tillë, si Kafka, Michaux, Beckett, Bernhard.

Ndjesitë që ju vetë morët pas leximit të këtij romani? Si ishte të riprodhoje këtë stil gjuhësor unik? Nga njëra anë fjalët e fëmijëve, nga ana tjetër të përcillje në shqip të njëjtin impakt befasues, të ftohtë dhe mizor?

Ndjesitë e mia tani nuk i riprodhoj dot më. Përsa i përket përkthimit, jam përpjekur, me aq sa kam mundur, të sjell edhe në shqip atmosferën e origjinalit.

Dhe, së fundmi, cilat janë projektet tuaja të ardhshme letrare, jo vetëm si përkthyes, por edhe si poet?

Për momentin nuk kam asnjë projekt. Por idetë nuk mungojnë.

Intervistoi Valeria Dedaj

Burimi: Shekulli.com.al

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *