Operatori që modifikon të vërtetën- Koinçidenca

mullaj

mullaj

Lexim rreth romanit “Çmimi i pafajësisë”, me autor Artan Mullaj dhe botuar nga MAPO Editions

Dr. Mimoza Ahmeti

Janë në vazhdim përpjekjet për të gjetur “të vërtetën” :   tendosen kontradiktat dhe mospajtimet në sferën politike, por jo më pak në atë të jetës private njerëzore.

Kështu për shembull, modifikimi i së vërtetës ka mbërritur pikën që mjafton të jetë e kuptueshme dhe është e vërtetë. Dhe nuk është e nevojshme që kjo e vërtetë të përfshijë çdo të vërtetë. Sepse nëse diçka do ishte e vërtetë për gjithçka, ajo do të duhej të përfshinte të gjitha rastet e së vërtetës, në sensin që të mund të bëhej specifike, t´i përgjigjej çdo situate.

Por cilat janë kushtet e operimit të së vërtetës? A përfshin ajo edhe botët minimale, që në fakt vetë i diskriminon dhe i minimizon? Ҁ’mund të thotë e vërteta për botën e një prostitute? Thjesht emrin diskriminues?

Jemi përballë jetës së vështirë të një vajze shqiptare në emigrim, që e detyrojnë të shndërrohet e të punojë në rrugë (siç e paraqet romancieri Artan Mullaj, nën titullin Ҁmimi i pafajësisë), për të përmbushur  voluptivitetin mashkullor, që seksualiteti normal (i vërtetë) nuk e ofron. Sigurisht, ka femra që e bëjnë këtë funksion pa u vetëgjykuar, duke injoruar  kushtet e normës  morale për të cilat janë të ndërgjegjësuara. Ato kanë një jetë, sepse e njohin, dhe e kanë pranuar atë si të tyren, kanë bërë zgjedhje të ofrojnë interkurs seksual pa diskriminim.

Të paktën kështu duam të besojmë, që edhe në diskurs, ka njerëz që në mënyrë të vullnetshme ndodhen aty, me gjithë premisat iniciale tjetërsuese sociale a natyrale, të mundshme…

Por në rastin e romanit tonë kemi një ego  të prekur, në luftë papushim me veten, që jeton në  asfiksi  duke gjykuar rrethanat “e së vërtetës” që ishin më të forta se ajo, pasi nuk ka qenë zgjedhja e saj por e kanë detyruar …

Një seri koincidencash fatale dhe fatlume ribashkuan jetën e saj në fund të romanit me botën që edhe e ndau, tjetërsoi dhe largoi prej vetes, e së fundmi e ripranoi në harkun e saj! Nuk dimë sa e rëndësishme është kjo botë, por për të ishte jeta! Ajo arrin të traversojë nëpërmjet martesës në botën normale, por sa ankth e mendim, e vetëvuajtje pos të tjerash ka kaluar  deri aty, për të arrirë rutinën martesore…dhe dhuratën e saj, një fëmijë.

Duket sikur koincidenca është një numër i paparashikuar në metrikën e logjikës. Koincidenca minimizon ose sjell botë në botën, është një operator invers me logjikën, ose shtues irracional i saj, ose pakësues, një tjetër inversitet, një parametër irreversëm,  habitës në botën minale ose maksimale të njeriut, fatalitet e fat.

Kështu në botën totale ku jetojmë, kemi një seri botësh minimale, të diskriminuara, të sanksionuata, të penalizuara, për të cilat duhet një mushkëri kaq e fortë për t´í mbijetuar mendërisht a fizikisht, ose mungesa totale e mendjes!

Totaliteti i së vërtetës nuk është i plotë përderisa kemi qëndrime. Qëndrimet dhe opinionet janë ato që kufizojnë botën e njeriut dhe raportet e tij me të. Por duke qenë se ky proces është edhe subjektiv, në numrin dy, të një  komunikimi,  mund të ndodhë korrespondim, çudia:  dy veta që kuptohen në diskurs, fillojnë një kurs, i cili mund të hyjë në kurs, pra të shtojë botë në botë, dhe nga kjo pikëpamje është plotësisht e vërtetë që vetëm negacioni sjell informacion për shoqërinë, pra për të vërtetën totale, pasi shoqëria përsërit veten. Zombi është parë si një figurë që injoron të vërtetën fizike, pasi jeton dhe nuk jeton, por të njëjtën gjë për të vërtetën morale mund të themi për një prostitutë.  Ajo krijon familje dhe është e vlerësuar apo e dashur për partnerin e saj.

Metafizika e përmirësimit i kundërvihet minimizimit të jetës së njeriut, dhe këtë e bën vetëm njeriu që kundërshton normën, e shton normën, e vë hendekun e saj më tutje, më larg, jo më afër! Të vërtetat negative mund të bëhen pozitive! Këtu është edhe forca e tjetrit. Në çdo akt pranimi të përjashtimit, kemi nje efekt në modulin logjik të mendimit komplet.

Dhe bota e madhe është tërhequr mëse një herë prapa nga bota e vogël e njeriut, i cili e sfidon atë kur vendos! Kështu qëndrimet mund të puqen dhe të kënaqësojnë përtej dallimit normativ. Kushtet e këtij procesi duken pothuajse magjike, një proces ristrukturimi me material destruktirimi, fatalitete që sjellin fate.

Kështu kemi botë, por kemi edhe botë të mundshme, një marrëdhënie e sigurt për çelje të reja, për përmirësim, pranim! Dhe megjithësë duket sikur kundërshton logjikën e propozicioneve formale, vetëm e pasuron atë. Kështu krijimi i një relacioni pozitiv prej botësh negative, domethënë bërja strukturë në kundërshtim me normën, është një apel për shoqërine por edhe një oportunitet plus  kundrejt rastit “moral”, siç është ky rast në romanin tonë, ku fundi i kalvarit shpërblehet me futjen në botën e pranuar.

Kështu nuk kemi vetëm fenomenin e dublimit të normës siç ndodh rëndom, por edhe atë të asimetrisë së bashkimit, i cili ka funksion shtimin e tjetër moduli logjik, emancipimin.

Romani shpjegon pikërisht trajtat në ardhje për një bashkim të tillë. I gjithë romani është një përllogaritje sesi ndodh procesi i shtimit të botës në botë, përmirësimi i modulit logjik edhe si veprim, deri ne aktin legal.

Ky proces quhet be conditional, ose kushtëzim i dyfishtë. Fenomen tranzitiv- ka nevojë për objekt kalimi. Gjatë gjithë kohës vajza e romanit kërkon një bashkëshort për të dalë në botën normale, objektin tranzitiv.

Duket sikur bota pozitive, me defektin e përjashtimit, ruan brenda saj mundësinë e vetëdëmtimit në favor të shtimit me botë negative të sapokodifikuar, duke filluar nga numri dy e më shumë. Kështu dy njerëz, me dy dekompozime të ndryshme, njëra prostitutë, tjetri i braktisur nga e fejuara, që është futur në manastir, nuk janë dublikate të njeri- tjetrit, por dy ndryshore logjike të përputhshme për të ndërtuar  prepozicion të ri moral.

Pra, përmirësimi prej kësaj zone është asimetrik(palët nuk janë njëlloj në logjikën formale), tejkalues ndaj normës që nuk punoi për ta. Asnjë botë nuk i dublikon pjesët e veta të vërteta. Kështu dublimi në fakt ruan mundësinë e falsitetit.

Totaliteti tenton të zevendësojë të vërtetën e nevojshme. Ai vepron si ndëraksion me operatorë variues, modele të shkruara e të menduara (epistomicones) dhe kuantifikimin e cilësorëve të rinj logjikë propozicionalë.(skema të reja mendimi e sjelljeje).

E verteta totale është e kompletuar por e kufizuar. Ajo duket edhe te sintaksa e gjuhës e cila kufizon infinitin, mbulon pikërisht realitetin me kufizim shprehjeje. Dhe hapja ndaj botës është hapja e gjuhës; pranimi i tjetrit sjell gjithmonë gjuhë në gjuhë. Gjuha e re është një botë mundësisht e re. Ajo kapërcen midis kufinjsh për të rrokuar atë që quhet ndryshe“Suplementi i dobët”. Me sa duket ky është faktori që ndryshon moralin, fortësinë e tij. Dalja nga propozicionet familiare të mendimit e të jetimit tek ato të panjohuara apo të padubluara.

Kështu romani në fjalë nuk merret me denigrimin se shoqëria është ajo që e tjetërson subjektin e vet, sesa me kalkulimin e kushteve të krijimit të tjetërsimit dhe peshën specifike që ai  lë në ndërgjegjen individuale.

Të gjitha përpjekjet bëhen për të kuptuar dhe pranuar, por është vetëm koincidenca ajo që rregullon logjikën e veprimit.

Ky çelës magjik hap dhe mbyll krahët e forcës, duke eliminuar, pranuar, hequr e shtuar. Eshtë magjistari i lëvizjes dhe koordinues. Gjindet aty ku fija është e dobët ose thirrja është e fortë. Ndoshta koincidenca nuk ekziston fare por është thjesht një ndodhës i panjohur i logjikës integrale, në atë lineare shkak pasojë.

Autori thotë me gjuhën e vajzës:  “Një valë e frikshme tufani më kish marrë me vete, për të më hedhur kushedi ku…Do të gjesh, do të fitosh, apo do të humbasësh, do të prekësh retë me duar, apo do të jetosh në skëterrë…do hysh në linjë apo do zhdukesh fare; do të kesh arritje apo do të jesh një person i dështuar..të gjitha këto s´do të varen më nga ti, nëse do të pleksesh më këtë energji misterioze…Kush ndeshet me të e kupton se kjo gjë është një fuqi e mistershme, që di të përgjojë! Kjo fuqi ka intelekt! Ajo ka sy! Të biesh në dorën e saj s´e ke më veten në dorë!..Jeta jote do të jetë e varur si një lavjerrës mbi ty!”

Kjo fuqi është shoqëria. Brenda saj dublohet e vërteta deri në zvordhje të saj. Jashtë saj nuk ka strukturë.

Autori Artan Mullaj, ka ndërtuar me shumë kujdes një formacion ngjarjesh e përsiatjesh për të përllogaritur të pallogaritshmen e jetës së njeriut, ku çdo mendim dhe veprim është njësi e një korrespondimi të padukshëm.

Ky roman është një rijësi konceptuale për këtë zhanër, dhe jo vetëm për letërsinë tonë. Ai ka si qëllim zbulimin e totalitetit dhe kufinjtë e tij.

Marrë nga gazeta MAPO, datë 30 prill 2017

mullaj-2-cmimi-i-pafajesise

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *