Poezia si intuivitet i ndërgjegjeve moderne krijuese

koha-tjeter

koha-tjeter

Lexim rreth vëllimit poetik “Koha tjetër” e Nikoll Lokës, i botuar nga Emal

Agron Shele

Në aureolën e poezisë bashkëkohore shqiptare, sot vihet re gjithnjë e më shumë tendenca e përsosjes dhe shtytjes drejt teknikave impresioniste apo surreale të shkrira me imazhinizmin, teknika këto që, të ndërthurura me autoktonizmin ose shtratin e traditës pas viteve ‘90, krijojnë perfomanca dhe mundësojnë një fuqi shumë më të lartë shprehëse, por dhe komunikimin me realitetin letrar kohor. Nga ky këndvështrim dhe, njëkohësisht,  si përpjekje për t’u identifikuar si pjesë e plejadës së një letërsie gjithmonë e në zhvillim, të ndryshme dhe origjinale, vjen edhe poetika e autorit Nikollë Loka në vëllimin e ri poetik Koha tjetër”.

Që në fillim autori befason me teknikën dhe ngjyrimet e mirëfillta artistike të cilat, herë nëpërmjet gjuhës së imazhit, si koncept por edhe parafytyrim, herë nëpërmjet fleksibilitetit ndjesor, si perceptim dhe përcjellshmëri e lartë shpirtërore, herë nëpërmjet tërësisë ideore, botëkuptimit dhe mesazhit filozofik, herë nëpërmjet formimit dhe pjekurisë artistike, si peshë e ndërgjegjshme krijuese dhe editim mendimi, herë nëpërmjet vetëdijes intelektuale, si përgjegjësi për atë çfarë ka shkuar dhe përfaqëson, risjell ashtu të freskët, plot ornament dhe patos të fuqishëm, mozaikun e plotë të një bote të tërë.

I gjithë vëllimi poetik ndahet në shtatë cikle të cilat, edhe pse të ngjeshura në tematikën që përcjellin apo në rrafshet e ndryshme që shtjellojnë, arrijnë të strukturohen dhe të kompaktësohen rreth një boshti të vetëm. Pa u ndalur në identifikimin e detajuar të cikleve, formave, larmisë dhe ndërtimit të gjithë këtij tempulli në vargje, për të realizuar një lloj analize të kësaj prurjeje poetike, të shtrirë gjerësisht në planin hapësinor dhe kohor, do ndalem në këto momente kryesore.

1-         Poezia si gjuhë e imazhit 

Gjuha e imazhit si gjuhë parafytyruese e bën poezinë shumë më të ndjeshme dhe shumë më të grishtë për vetë iluzionin e ngritur në subkoshiencë, por dhe për elokuencën e afektivitetit shpirtëror si shprehishmëri.

Po të më shfaqesh

si e nesërme,

do të bëhem e tashme

që të ndjek

nga pas…

Të shoh nga larg, 

e të ngatërroj mes rrezesh,

deri në muzgun e pafat.

Autori Loka përmbyll gjithçka në hapësirën e imagjinatës së vet dhe e gjithë kjo në funksion të reflektimit artistik, si ndjeshmëri njerëzore (po të më shfaqesh) dhe  ndjeshmëri vargu, metaforë (muzgun e pafat). Edhe kuptimi emocional në këtë lloj stilistike bëhet shumë më i fortë dhe i dukshëm, dukuri kjo që përafron dhe më shumë hapësira të ndryshme kohore dhe sensoriale (e nesërme, e tashme, do të ndjek nga pas… )

2 – Poezia si gjuhë e impresioneve lirike

Impresionet lirike janë tablo të hapura për autorin (fund vjeshtë – kurorë bjeshke)  të  cilat përbrenda surrealitetit bardhësi reje, ndërthurin leitmotivin e fortë të ndjenjësisë dhe dashurisë njerëzore. Hyjnizimi i ndjenjës e ngjit poetin në qiell për të gdhendur metaforikisht shenjtërimin e gërmës më të parë, e cila shkruhet e rishkruhet me bojën dhe ngjyrën e zemrës dhe shpirtit të kristaltë.

Gërmën e parë të emrit tënd,

e pashë në qiellin e fundvjeshtës,

shkruar me bojën

e një reje të bardhë,

sipër kurorës së bjeshkës.

3-         Poezia si gjuhë mitike

Orfeu me muzikë

perënditë i mallëngjeu,

Sizifi e hoqi gurin

nga shpina,

e hoqi pishtarin nga dora

Prometeu.

Padyshim që rilindja e vetë artit lidhet me mitikën e shkuar, mitikë të cilën autori e prek, por edhe mbështetet në zanafillën e saj. Rishfaqja e Orfeut dhe e lirës së tij, jo vetëm që zbut hidhërimin e perëndive, por në sinkroni me madhështinë shpirtërore bën që Sifizi të flakë gurin, ndërsa Prometeu të heqë pishtarin. Në këto vargje ka dhe ridimensionim idesh të tjera, ide që nëpërmjet frymës së zotave shprehin vetë fuqinë magjike të fjalës së shkruar.

4-         Poezia si gjuhë dhe mision i kujtesës historike.

Jemi mësuar tashmë me format epike dhe ato të baladave të cilat, më së shumti, na risjellin dhe përafrojnë më tepër me të shkuarën tonë, por format e reja poetike shkëputen disi nga narrativiteti i detajuar dhe bëhen shumë më grishëse dhe tërheqëse për lexuesin.

Ardhja e Skënderbeut 

Pa ra nga mali vetëtimë,

me treqind krushq që nxirrnin zjarr,

zgjohen krutanët ndezin zemrat dhe sytë,

nata e arbërit u bë ditë e bardhë.

Nëpërmjet poezive kushtuar Heroit Kombëtar Skënderbeut, Hyjneshës Teuta, Pirros së Epirit, Princit Gjin dhe Princeshës  Argjiro,  Moisi Golemit, Tanushit, Lekë Dukagjinit, Dëshmorëve të tjerë të kombit, poeti, jo vetëm që nxjerr në pah veprën e tyre, por i rrënjëzon dhe i ngulit edhe më tepër në kujtesën tonë historike.

5-         Poezia si gjuhë dhe mishërim i atdhedashurisë.

Atdhe,

ofshamë

e dhimbje,

i mbulon veç një re.

që mëngjeset

na i kthen në pasdite.

Për t’i rikthyer agimet

duhet pak zjarr,

një Promete.

Poeti e simbolizon atdheun me dhimbjen e vet, me mëngjeset e jetës, me rilindjen e dritës në agim dhe kërkon shpresën te zjarri i Prometeut, duke evokuar ndjeshmërinë dhe ringjalljen e tij për ta përçuar më tej edhe te populli i tij. Si misionar i shpresës dhe i fateve të vendit, Nikolla shkruan, thërret dhe kumbon jehonën e idealizmit të shpirtit të vet, për atë që përfaqëson, atë që duhet të kryejë dhe atë që duhet të rrëfejë.

Vëllimi poetik Koha tjetër i autorit Nikollë Loka meriton të radhitet në bibliotekën e çdo lexuesi dhe të lexohet me vëmendje pasi ky libër vjen në fondin e poetekës shqiptare plot dritë, i plotësuar me gjithë karakteristikat e një arti në përsosje dhe për më tepër vjen si shprehishmëri e mediativitetit bashkëkohor letrar.

Teksti është marrë nga parathënia e librit

Nëse je i interesuar për ta bërë pjesë të leximeve librin, porosite direkt me një klik te linku KETU, ose me një telefonatë te: 044508282

koha-tjeter-nikolla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *