Përshkrime të rralla në kanavacën e makinerisë ideologjike

rudi-erebara-agim-baci

rudi-erebara-agim-baci

agim-baciAgim Baçi

Lexim rreth librit “Epika e yjeve të mëngjesit”, të Rudi Erebarës, botuar nga shtëpia botuese Ombra GVG, në nëntor të vitit 2016

Një ditë pas ditëlindjes së udhëheqësit të gjithë parullave revolucionare nëpër Tiranë u ka dalë boja. Një natë më parë ka rënë shi. Por jo për partinë. JO! Për partinë nuk ka Zot që të hedhë shi që i nxjerr bojën parullave ideologjike që janë forca e revolucionit. Boja është marrë në magazinat e Ministrisë së Brendshme. Por sigurimi i shtetit nuk gabon. Kështu që duhet të ekzistojë vetëm armiku që duhet gjetur patjetër. Armiku i klasës….

Rudi Erebara ka mundur të përshkruajë dhe të pikturojë rrëzimin e njeriut përmes rindërtimit të një historie që bart gjithë cinizmin e një shoqërie ku njeriu ishte veçse një numër, një matrikull, ku nuk duhej të mendonte asgjë tjetër veç atij mendimi që dilte nga zyrat e partisë e ku duhet të besonte se familjen dhe dashurinë ta përcaktonte partia. Një dhomë e errët  ku dera e vetme për të dalë në pakëz dritë ishte vdekja…

I gjithë rrëfimi është një kanavacë pikturuar me fjalë, ku qëndron varur një e shkuar e cila ka nevojë të qëndrojë shumë gjatë përballë nesh, që ta vështrojmë për të arritur të paktën ta besojmë. Që nga Enveri, sekretari i partisë së ndërmarrjes së dekorit, që porosit vartësit e tij që ta thërrasin “Shoku Veri”, pasi “emrin Enver e meriton vetëm I Madhi”, e gjer te bisedat gati traumatike burrë e grua, mes Avniut dhe Teftës, ku si në një gjyq special, i shoqi i kërkon nënës së fëmijëve të tij të rrëfehet për të dalluar armiqësinë dhe kurthin e ngritur nga bashkëbiseduesja, që nuk është veçse gruaja e shefit të tij hetues, Koçit.

Personazhi kryesor i rrëfimit të Erebarës është Edmondi ( një qasje ndaj historisë tragjike të piktorit Edison Gjergo, ndëshkuar për pikturën e tij), që në gjendje civile njihet si Sulejmani,- se  në atë sistem njeriu mund të ishte krejt tjetër nga ai që e thërrisnin, nga ai që mendonte se ishte. Sepse ti mund të ishe dikush, por sistemi kishte mendimin e vet për ty. Ti kishe emrin tënd, dhe mund ta doje atdheun tënd, miqtë e tu. Por partia nuk ishte e këtij mendimi. Dhe ti thjesht duhet të mësoheshe me atë që të kishin caktuar të tjerët të ishe…

“-Ajo më tha se me grupin dënuan edhe fëmijët edhe të gjithë, sa me burgje e sa me internime…

-Pse kishte dyshime ajo për atë gjë? Sigurisht. Kjo është lufta e klasave. Po t’u ishin dhimbsur fëmijët të mos bënin gabime, të mos ishin armiq. Fëmijët e armikut nuk janë fëmijë. Ata janë armiq. Në çdo moshë qofshin. Të vegjël e të mëdhenj, janë armiq. Çudi si guxon ajo e flet kështu me ty, nuk i ka mësuar Koçi gjë asaj… Apo foli me ty se i dhe gojës ti kështu siç merr kot gjithmonë? Trego!

-Mos më thuaj ‘trego’, Avni, unë jam gruaja jote, jam nëna e fëmijëve.

-Ja të them unë një gjë që ta kesh vath në vesh… po sikur ta ketë porositur Koçi atë të flasë me ty, se e dinë të gjithë që për t’u dukur e zgjuar, ti hipën në majë të çatisë. Prandaj dua ta di tani mirë e mirë, se çfarë i the ti?

-Mos më tremb, Avni, ku di unë se çfarë i thashë, nuk patëm shumë kohë, për kokë të mamasë, folëm kështu si jeni si shkoni, nuk u zgjatëm.

-Nuk ka nevojë të zgjatesh për biseda të tilla. Me pesë fjalë shkon në burg dhe i lë fëmijët rrugëve… prandaj po të pyes, kujtohu mirë, çfarë i the e çfarë të tha!”. (Rudi Erebara, “Epika e yjeve të mëngjesit”, Ombra GVG, f. 326).

Dialogu, monologu dhe rrëfimi plotësojnë njëri-tjetrin në një përshkrim plot ngjyra, që nga bisedat më të vogla mes shokëve për rakinë, gratë apo gjithçka tjetër, e gjer te “bisedat me zarar”, nga ku niste edhe rrëzimi i vetes apo tjetrit.

Mes përshkrimeve vjen e formësohet piktura “Epika e yjeve të mëngjesit”. Monologu Edmond-Sulejman jep gjithë debatin e brendshëm që mban njeriun në botën e madhe mes frikës për të qenë dhe frikës për t’u zhdukur. Gjersa ajo çka del përmes penelit dhe monologut plot botë e ngjyra, përballet me vdekjen e realitetit. Sytë përballë telajos janë mbyllur – janë mbyllur prej kohësh pasi lejohet vetëm një dritë – drita e partisë.  Dhe krijohet idealja e gjetjes së armikut. E armikut në betejën e brendshme. E armikut që nuk e di se çfarë ka bërë. E dyshimit mbi gjithçka. Sepse njeriu ka kohë që ka mbyllur sytë….

Erebara nuk moralizon. Veçse përshkruan, duke e sjellë kanavacën e makinerisë ideologjike që rrëzoi dhe shtypi njeriun – një makineri që i dha jetë vetëm hapave drejt humnerës së mungesës së madhe të njerëzores…

Shkrimi është botuar në gazetën MAPO, datë 18 shkurt 2017.

Librin mund ta blini direkt online me një klik KËTU, me një mesazh në rrjetin social Facebook.com/Bukinist.al apo me një telefonatë te: 35544508282. Transport KUDO. Paguani sapo ta merrni në dorëzim

epika-e-yjeve-te-mengjesit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *