Ta shohësh shqiptarin në syrin e një anglezi të ditëve tona…

diana-culi

diana-culi

Libri “Shqiptarët para pasqyrës” është i ndarë në disa rubrika, prej të cilave përmendim: Kombësia  dhe identiteti, Personaliteti, Sjelljet dhe Vlerat, Familja, Zakonet dhe traditat, Bashkëbisedimet, etj. Kush do ta marrë librin në dorë e do ta lexojë – dhe nuk do ta lëshojë derisa ta mbarojë, ngaqë vërtet është shumë intriguese të shohësh veten në pasqyrën e mendjes së tjetrit – mund të mos buzëqeshë gjatë gjithë kohës

Diana Çuli

Në çastin e parë, kur e shoh këtë emër autori në një libër që titullohet “Shqiptarët para pasqyrës”, mendoj vetëtimthi se do të jetë një shqiptar i emigruar, që shkruan për ish-bashkëkombasit e tij ose një shqiptar i këtushëm që nuk duron dot pa shprehur mendimin personal se si janë bashkëkombasit e tij, që nuk duron dot pa dhënë opinionet për Shqipërinë e djeshme, të sotme dhe të ardhme.

Por, me shfletimin e parë kupton se autori është skocez, se këtë emër me tingëllimë shqiptare e ka pseudonim, se e ka patur pasion njohjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, se ka dashur edhe ta trasmetojë këtë njohje për të huajt, po edhe për vetë shqiptarët.

Për këtë libër kanë dhënë mendime emra të njohur analistësh e kritikësh dhe nuk do të përsëris mendimet e tyre të çmuara. Do të thoshja se libri të shkakton ndjenja të ndryshme dhe shpesh të kundërta.

Nuk është një libër i thelluar në histori, as në antropologjinë e një shoqërie të caktuar. As në politikën apo në sjelljet e hollësishme dhe të argumentuara me fakte apo interpretime të studiuara nga të gjitha këndvështrimet.

Libri është një lloj udhërrëfyesi, por sui generis, sepse ai nuk na udhërrëfen bukuritë turistike të natyrës së vendit tonë, por, siç thotë dhe vetë autori, na paraqet vëzhgime mbi karakterin, tiparet dhe cilësitë e veçanta të popullit shqiptar.

Libri është pjesë e serisë Xenophobe’s Guides – seri udhërrëfyesish best seller në të gjithë botën, sepse është shkruar me dashuri dhe me humor. Alan Andoni duket se ka vëzhguar me  një aftësi të veçantë psikologjike shqiptarët dhe shoqërinë që ata kanë krijuar dhe në të cilën jetojnë, ai i do ata, i kupton ata, i njeh të metat e tyre dhe cilësitë që mund të kenë dhe i thotë këto gjera pa drojë, herë herë dhe me shigjetime të mprehta, por që nuk mund të merren kurrsesi për keq, sepse kushdo që i lexon këto radhë e ndjen se opinioni  i dhënë prej këtij skocezi mendjemprehtë e symprehtë është i mbështetur në një ndjenjë të fortë dashamirësie dhe pranimi pa kushte i kësaj miqësie dhe ndershmërie gjykimi.

Dhe ne, shqiptarët sedërmëdhenj, që hidhemi përpjetë kur na kritikojnë, kur na paragjykojnë, kur na perceptojnë ashtu si nuk jemi (ose që na duket sikur nuk jemi) e pranojmë buzagaz këtë gjykim kaq të hapur dhe kaq pa doreza, por kaq të dashur.

Libri është i ndarë në disa rubrika, prej të cilave përmendim: Kombësia  dhe identiteti, Personaliteti, Sjelljet dhe Vlerat, Familja, Zakonet dhe traditat, Bashkëbisedimet, etj. Kush do ta marrë librin në dorë e do ta lexojë – dhe nuk do ta lëshojë derisa ta mbarojë, ngaqë vërtet është shumë intriguese të shohësh veten në pasqyrën e mendjes së tjetrit – mund të mos buzëqeshë gjatë gjithë kohës. Mund edhe të rrudhë vetullat, edhe të thotë me vete “nuk është kështu”, por siç thashë më sipër, në faqen tjetër do t’i rikthehet buzëqeshja, madje dhe gazi, sepse vërtet je duke biseduar me dikë që të do, që t’i thotë gjërat në sy.

Sigurisht, duke mos qenë një studim i mirëfilltë sociologjik apo antropologjik, me këtë libër nuk është fjala për të gjetur të vërtetat absolute mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të ketë shqiptarë që nuk e gjejnë veten tek tipi që rri gjithë ditën me nge kafeneve, sepse në të vërtetë ata lodhen nga mëngjesi në mbrëmje duke punuar, gra që nuk do ta gjejnë veten te paraqitja e shqiptareve si të gjitha të nënshtruara e shtëpiake  (kur vetëm sistemi gjyqsor ka rreth 60 përqind gra), mund të ketë të rinj që nuk do ta gjejnë veten e tyre te tipi kokëkrisur që do vetëm të thyejë rregullat dhe të fitojë para të shpejta – por këtë nuk e gjykojmë dot në këtë libër. Sepse ai është një opinion, një vëzhgim i dikujt që nuk e pretendon se është historian apo sociolog, por vetëm një mik që jep disa opinione dashamirëse.

Libri na shtyn të mësojmë të shohim veten tonë dhe shoqërinë tonë me objektivitet, të largojmë nga ndërgjegja jonë e lashtë idenë e ngulitur se jemi “më të mirët” në Ballkan apo në Mesdhe, se na e kanë gjithnjë fajin të tjerët, se traditat tona të shumëlëvduara janë aksioma të paprekshme dhe vetëm pozitive, edhe kur na e nxijnë jetën.

Libri është botuar nga Mediaprint dhe përkthyer nga Ilda Zerva. Meqënëse e kam si një nga synimet e mija për të vlerësuar përkthyesit e sotëm që bëjnë  një punë të pandjerë, por tepër të vyer, do të theksoja se përkthyesja ia ka dalë me sukses të sjellë në shqip humorin e hollë, ironinë e pasurinë gjuhësore të Alan Andonit.

Shkrimi është botuar te MAPO, ditën e shtunë, datë 19 nëntor 2016. Titulli është redaksional. Porosite direkt te linku “Shqiptarët para pasqyrës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *