Imazhi si qasje nga trilli drejt reales

cimi-kadare

 

Refleksion mbi albumin “Shqipëria dhe bota në veprën e Kadaresë”, të autorit Ndriçim Kulla. Janë rreth 155 tekste artistike, të shkëputura nga veprat e Kadaresë që kalojnë nëpër laboratorin optik të albumi

Nga Albert Gjoka

 

Realiteti dhe fiction-i ndahen me hejza të holla, të cilat është e vështirë t’i dallosh nganjëherë tek autorët me talent. Sapo kujton se je në një botë reale, me referenca reale, trilli të zhvendos në një botë tjetër. Por, ndodh edhe e kundërta: Në një realitet fantazues të shfaqen objekte, ngjarje apo emra që ti i njeh, i ke parë, ke jetuar me to. Për rrjedhojë, realiteti dhe fiction-i janë pjesë e pandarë te çdo vepër dhe veçimi i tyre nuk do të na ndihmonte në zgjidhjen e pikëpyetjeve që dalin gjatë komunikimit me veprën.

Proza, sidomos gjatë shekullit XX, ka marrë shumë nga teknikat e kinematografisë dhe arteve figurative në aspektin tregimtarisë. Në këtë mënyrë, struktura narrative ndërtohet si një tërësi “frame”-sh; dhe rrëfimtari përveç këndit të pamjes, fokuson një objekt/vend, mbi të cilin ndërton aksionin apo përshkrimin.

Realiteti që sendërtojnë shkrimtarët më së shumti, shkëndijat i merr nga bota dhe njerëzit realë. Mbi këtë përqasje, si te letërsia botërore, por edhe te letërsia shqipe, hasen “letërsia e qyteteve”, “letërsia e pyllit”, “letërsia e mjedisit”, e kështu me radhë. Duke u ndaluar te letrat shqipe; këtë e kemi parë të dukshme, te proza e Koliqit, përmes përshkrimit të qytetit të Shkodrës; te proza e Koliqit, apo edhe te proza e Greblleshit, i cili përshkruan në mënyrë të hollësishme deri në detaj pazarin e Tiranës së viteve ’20 (Albumi i një bojaxhiu). Sigurisht, Ismail Kadare kap majat edhe në këtë “lloj letërsie” me përshkrimet që i bën qytetit të lindjes, të cilat nguliten në mendjen e të gjithë atyre që as e kanë parë dhe as mbase nuk do ta shohin kurrë Gjirokastrën, menjëherë sapo lexon veprën e tij.

Por, Kadare ka pushtuar shumë hapësira artistike në korpusin e tij letrar, duke krijuar një galeri të madhe vendesh, përmasat dhe përshkrimet e të cilave që janë pohuar edhe nga autori, por janë identifikuar jo më kot edhe nga kritikët. Në këtë përballje mes reales dhe fiction-ales gjeografike ndërtohet edhe libri “Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë”, i autorit Ndriçim Kulla, një temë kjo e rrahur edhe më parë në studimin “Atlasi i shkruar i Kadaresë” (2015). Ai nis një aventurë disi të vështirë, por njohja dhe studimi i veprës së Kadaresë ndër vite, përkushtimi i tij dhe ndihmesa që ka pasur për realizimin e këtij albumi, i kanë bërë më të lehtë sfidën për të realizuar një botim që ka vlera të shumëfishta. Janë rreth 155 tekste artistike, të shkëputura nga veprat e Kadaresë që kalojnë nëpër laboratorin optik të autorit të albumit dhe përthyhen në fotografi, përmes mekanizmash përngjasues.

Kjo përqasje, në dukje sipërfaqësore, nuk është thjesht një udhëtim me fokus “troje gjeografike” nëpër trojet narrative të Kadaresë, por ai është një alter-tekst që i jep dorë edhe veprës, edhe lexuesit. Laboratori krijues i Kadaresë është tej mase i komplikuar, jo thjesht për shkak të aftësive rrëfimtare të tij, por lidhet edhe me kohën kur e realizoi veprimtarinë krijuese ky autor. Në kushtet e izolimit të madh të Shqipërisë komuniste, kur censura dhe autocensura kishin kapur majat, bota kadareane i kapërcen telat me gjemba sfidueshëm, filtrohet dhe shkruhet si një realitet fiction-al me fuqi të madhe shprehëse, sa individuale, aq edhe universale. Trualli artistik dhe ai gjeografik shkojnë drejt një unifikimi të natyrshëm, për shkak se edhe mjedisi real ishte tejet ireal, në peshën e tij.

Qyteti i gurtë, Tirana, veriu, por edhe realitete të përtejme, me hije të rënda dhe histori perandorake, si Moska, Pekini, Stambolli, Parisi, Nju Jorku, etj., vijnë natyrshëm, si “shenja të fuqishme narrative vendesh”, falë mjeshtërisë së lindur të shkrimtarit për t’i “stampuar”, përmes një këndvështrimi brilant dhe me aftësi konotative spikatëse. Ai tregohet gjakftohtë, ironik, sarkastik, i mprehtë, i arsyeshëm deri në vrasje, i thellë, ndaj objektit për të cilin shkruan. Kadare ia njeh shkrimtarit egon për të pushtuar territor, duke u shndërruar në një “Napolon”. Këto shenja kanë fuqi të madhe universaliteti në mënyrën sesi përshkruhen.

Nobelistja Alice Munro thotë se aftësinë për të shkruar për qytetet e vogla, fshatarët dhe atë lloj jete që ajo e njihte shumë mirë, e ka mësuar nga shkrimtarët e Amerikës së Jugut. Ndërsa Kadare e ka të natyrshme, të vetvetishme. Në këto gjurmë ka udhëtuar edhe Ndriçim Kulla, pasi ka zbuluar më parë “rrugën e mëndafshit”, në itinerarin narrativ aleksandrin”, duke “kaluar nëpër Turqi, Persi, Siri dhe shkoi tutje deri në Egjipt”, në përpjekjen për të prodhuar imazhe mo-ta-mo identike me ato që vijnë në botën fiction-ale. Dhuntinë e Kadaresë për përshkrime të detajuara, qëmtime të tejpërtejme të mjedisit, objekteve, Kulla e përkthyen në pasqyrim.

Në shumë vende ka përkime thuajse identike, saqë mahnitesh nga prodhimi fotografik i copëzave fictionale. Fantazia lëviz në një botë shumëdimensionale, përkundër fotos që është dydimensionale. Përtej kësaj, autori i sipërmarrjes ka sjellë realitete të fiksuara, të cilat mund të shërbejnë fare mirë edhe si sprova metodologjike për të kuptuar realitetin kadarean apo zbërthyer kleçka narrative në prozën e tij. Ato mund të na ndihmojnë jo-pak në zbërthimin e teksteve dhe realizimin e operacioneve narrative.

Fotoja ka fuqi të madhe receptuese te mendja e njeriut dhe sigurisht ky album do të nxisë aftësi të reja receptimi të veprës te lexuesi, i cili kërkon arsye gjithnjë e më shumë për t’iu afruar një libri. Ky altertekst është një shtysë më shumë, është një karrem goditës, është një risi në tërësinë e elementeve ndërtekstualë që na vijnë në dorë para leximit të veprës. Tërësia e vendeve dhe objekteve të përzgjedhura me zell të madh nga Ndriçim Kulla, na ndihmon të rrokim më shpejt atë botë të madhe fictionale që ka “uzurpuar” vepra e Kadaresë. Përshkrimet e librave artistik mbeten përjetësisht, përkund vendeve, objekteve apo realiteteve të cilat tjetërsohen apo zhduken.

Rruga e Çajld Haroldit nëpër Ballkan të Bajronit, itinerari i Don Kishtotit, kështjella e mbretit Hamlet, arratisja e Pushkinit nëpër mjediset rurale të Rusisë, objektet simbolike që interpretohen nga Dan Braën, e shumë e shumë “shenja” të tjera, e kapërcejnë statusin e të qenit në pronësi të botës fictionale. Ato rikthehen si pjesë e një realiteti të ri ndër-njerëzor dhe fitojnë një status të ri artistik dhe social. Këtë gjë ka evidentuar dhe ka bërë më të qartë Ndriçim Kulla në shtegtimin fotografik nëpër tekstet kadareane. Përmes këtij kërkimi na pasurohet më tej realiteti artistik i autorit, bëhet më intrigues për lexuesit bota e tij, nxit dhe pasuron mendjen me imazhe të hapësirave. Syri i fotografit kërkon ta kthejë edhe “metaforën” në një gjë të prekshme, reale, më të kuptueshme. Në shumë shkrepje, arrihet synimi, teksa letërsia e ka pavdekësuar realitetin dhe, autori i albumit sjell si pasuri jo vetëm këndvështrimin e autorit, por edhe të tij si lexues i mirë i veprës.

Gjithsesi, ky botim ta vlera të veçanta metodologjike për studentët dhe pedagogët e letërsisë, për lexuesit e Kadaresë, sidomos të huajit dhe për njerëzit që janë të pasionuar për të studiuar raportet e artit apo letërsisë me imazhin.

Së fundi, duhet thënë se ky libër është një kontribut i drejtpërdrejtë edhe për nxitjen e turizmit kulturor që ka sjellë vetë vepra e Kadaresë, sidomos në shtimin e interesit për qytetin e Gjirokastrës, falë faktit që ky album është përgatitur edhe në gjuhën angleze. Si kështjella e Hamletit në Danimarkë, si shpella e Drakulës, apo shumë e shumë “shenja të tjera letrare”, edhe Gjirokastra, “qyteti më i pjerrtë në botë”, “qyteti që nuk ngjante me asgjë”, i ka shtuar ndjeshëm fansat e tij falë marketingut që i bën sot e kësaj dite vepra e Kadaresë.

Gjatë këtyre dy dekadave janë bërë disa sprova teoriko-letrare mbi tekstet e Kadaresë, si ato me galerinë e personazheve të romaneve, qasjet gjinore të tyre, konceptet estetike, si dhe janë ekranizuar apo vënë në skenë disa skenarë, bazuar mbi veprat e tij, por kjo mbetet në ndër sprovat multidisiplinare më të goditura në receptimin më të arrirë të veprës së Kadaresë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *